Pacolli: Nuk di çka i kam ba asaj gruaje!

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli mendon se presidentja Atifete Jahjaga ka probleme personale me të. Thotë se ia bëri me qëllim, por edhe shkeli protokollin derisa nuk e caktoi të ulet në vend të kryeministrit Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit kombëtar për Integrime, derisa ky i fundit mungonte, por që zëvendësohej nga Hajredin Kuçi. Një ditë më parë, Pacolli u nervozua si hyri në sallë dhe braktisi këtë takim, meqë nuk i pëlqeu vendi në fund të tavolinës. Siç ishte bërë më dije gjatë ditës së djeshme, protokolli ishte caktuar qysh në fillim dhe se ai të ishte në cilësinë e kreut të AKR-së, dhe vendi në fund i takonte ngase partia e tij ka më së paku vota. Ai të mërkurën teksa po mbante një ligjëratë para disa studentëve të një kolegji në Prishtinë, ka thënë se Jahjaga e ka shkelur protokollin derisa nuk e uli në vendin e Thaçit. “Unë nuk di çka i kam ba asaj gruaje”, ka pyetur Pacolli. Dihet se pas braktisjes së takimit nga Pacolli, dhe mospjesëmarrjes së Albin Kurtit, Komisionari për Zgjerim, Stefan Fyle u kishte bërë thirrje të gjitha partive pa dallim e veçanërisht atyre që mungonin në atë takim që t’i bashkohen Këshillit kombëtar për Integrime për të mirë të Kosovës por edhe të përkrahin Thaçin në bisedimet me Serbinë.